Shqiptarët ndër banorët që përdorin më shumë transportin publik në Europë
Shqiptarët përdorin transportin publik më shpesh se mesatarja europiane, sipas të dhënave të Eurostat.
Megjithëse në Shqipëri transporti publik kufizohet kryesisht vetëm te autobusët, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e përdor atë rregullisht. Sipas statistikave të Eurostat, rreth 17 për qind e shqiptarëve përdorin transportin publik çdo ditë, duke e renditur vendin në vendin e pestë në Europë dhe mbi mesataren europiane prej 10.7 për qind.
Në renditjen europiane, Shqipëria qëndron pas Hungarisë, Zvicrës, Çekisë dhe Luksemburgut për përdorimin ditor të transportit publik.
Përdorim i shpeshtë gjatë javës dhe muajit
Sipas të dhënave, rreth 20.4 për qind e shqiptarëve përdorin transportin publik çdo javë, duke u renditur të tretët në Europë pas Zvicrës dhe Luksemburgut.
Ndërsa rreth 21 për qind e qytetarëve e përdorin transportin publik çdo muaj, duke e vendosur Shqipërinë në vendin e dytë në Europë pas Turqisë.
Në të njëjtën kohë, vetëm 11.6 për qind e shqiptarëve e përdorin transportin publik më rrallë se një herë në muaj dhe rreth 30.2 për qind nuk e përdorin fare.
Të rinjtë përdoruesit më të mëdhenj
Përdorimi i transportit publik është më i lartë te të rinjtë. Sipas Eurostat, çdo ditë udhëtojnë me autobus rreth 33.8 për qind e meshkujve dhe 34.9 për qind e femrave të grupmoshës 16–29 vjeç.
Në grupmoshën 30–64 vjeç përqindja bie në rreth 18.8 për qind për meshkujt dhe 15.3 për qind për femrat, ndërsa vetëm rreth 4 për qind e pensionistëve përdorin transportin publik çdo ditë.
Në përgjithësi, meshkujt rezultojnë ta përdorin transportin publik pak më shumë se femrat, me 17.9 për qind të meshkujve që udhëtojnë çdo ditë, kundrejt 15.8 për qind të femrave.
Më pak makina për banor
Përdorimi relativisht i lartë i transportit publik lidhet edhe me numrin më të ulët të automjeteve për banor në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Eurostat, vendi ka rreth 443 mjete për çdo 1 mijë banorë, një nga nivelet më të ulëta në Europë.
Vetëm për autoveturat, Shqipëria kishte rreth 328 makina për 1 mijë banorë në vitin 2024, ndërkohë që mesatarja europiane arrin në rreth 578 automjete për 1 mijë banorë.